Sot mbushen 50 vite nga një ngjarje, e cila si një njollë e zezë do të shënonte historinë e vendit tonë. “Me krenari”, nga pushteti i asaj kohe Shqipëria do të shpallej i pari dhe i vetmi shtet ateist i Botës. Pikërisht me 6 Shkurt të vitit 1967, Enver Hoxha do të mbante një fjalim përpara disa organizatave bazë të partisë në Tiranë. E ky fjalim, mediokër për nga përmbajtja, por me nota urryese dhe hakmarrëse kundër fesë, nxiti grupet e rinisë të ndërmerrnin veprime konkrete kundër “zakoneve të kota fetare”.
Por le të kthehemi prapa në kohë…
Ideologjia komuniste gjithmonë e ka luftuar fenë, duke tentuar gjithnjë të mbivendoset mbi të, po kështu edhe Enver Hoxha gjatë gjithë pushtetit komunist tentoi të mitizonte kultin e individit të tij. Që në vitet e para të pushtetit, ai firmoste urdhëra pushkatimi, duke u kthyer në një farë mënyre si një Zot që kishte në duar fatin e jetes së njeriut. Lufta kundër fesë, do të ishte për të një nga pikat kyçe të doktrinës së tij. Që ditë të errëta po vinin për komunitetet fetare në Shqipëri, kjo u kuptua që në gjenezën e atij regjimi.
Edhe pse nuk kishim një shtet ligjor ende të formuar, kjo nuk do të ndalonte së persekuatuari dhe pushkatuari kundërshtarë të regjimit, mes tyre edhe prifërinj. I pari që do të pësonte fatin tragjik ishte Dom Ndre Zadeja, i cili u pashkatua të Dielën e Larit me 25 mars 1945, bashkë me 13 burra të tjerë pas murit të varrezave katolike të Rrmajit. Faji i tij i vetëm ishte se më datë 16 gusht 1944 me rastin e festës së Shën Rrokut, që kremtohej në Shirokë, Dom Ndre Zadeja iu drejtua besimtarëve: “Dy fjalë i kam sot me ju, sidomos me ju o të rij. Një re e zezë me një ideologji të kuqe po vjen mbi kokat tueja. Ajo ka ndërmend të shprazet mbi ju, por atëherë s’keni për të pasë shka me i ba, veç me bajtë e me i sprovue të këqijat, se përveç të zezave të tjera që ka, ajo mohon edhe Zotin.”
Dhe kështu dalëngadalë Shqipëria po futej në një tunel të errët, të cilit s’po i dukej gjë fundi. Reforma Agrare e miratuar në vitin 1945 dhe e rishikuar në vitin 1946, i cungoi së tepërmi pasuritë e komuniteteve fetare, të cilat u detyruan të hiqnin dorë nga shumë zotërime të tyre. Sidomos Françeskanëve dhe Jezuitëve iu sekuestrua gjithçka, duke shkatërruar ndër të tjera shumë pasuri artistike dhe kulturore si bibliotekat dhe muzetë e tyre, apo duke i mbyllur shkollat dhe seminaret.
Por persekutimi sa kishte filluar…
Në fundin e viteve ’40 dhe fillimin e viteve ’50 shteti komunist do të tentonte me çdo mënyrë të arrinte të nënshtronte komunitetet fetare, duke i detyruar ato të kalonin nën varësinë e shtetit. Sidomos për Kishën Katolike kjo ishte një utopi, sepse siç dihet ajo është Universale dhe kurrsesi klerikët shqiptarë nuk mund të pranonin të shkëputeshin nga Vatikani. Ky kundërshtim do të përshkallëzonte edhe më tej persekutimin, ku në këto vite kishin ngelur 57 meshtarë nga 185 që ishin në vitin 1945. Personazhe brilante si Imzot Vinçens Prennushi me shokë do të shuheshin një e nga një hetuesive dhe burgjeve famëkeqe komuniste, vetëm se nuk pranuan nënshtrimin ndaj shtetit komunist.
Dhe fjalët e Dom Kolec Prennushit qëndrojnë si lapidar i përjetshëm dhe sot e kësaj dite duhet të jenë frymëzim për shoqërinë shqiptare, e cila ka nevojë të motivohet nga fjalë të tilla:
“ Le të na vrasin ma mirë sot me faqe të bardhë, se me firmue dhe nesër prap kanë me na mbytë, e na do të vdesim me faqe të zezë.”
Kalvari i mundimeve do të vazhdonte, nuk do të ndalonte asnjëherë, duke persekutuar këdo që ishte në kundërshtim me regjimin. Kështu viti i zi 1967 do të përbënte në një farë mënyre kapakun kundër fesë. Filloi kështu një valë hakmarrëse kundër objekteve të kultit, ku në gjithë Shqipërinë u shkatërruan, u mbyllën apo u shndërruan 2169 të tilla, ku 1665 ishin kisha, manastire dhe famulli. Kishat më të famshme që u shndërruan ishin Katetralja e Shën Shtjefnit dhe Kisha e Shën Françeskut të dyja në Shkodër, e para u shndërrua në pallat sporti, ndërsa e dyta në sallë kinemaje. Ato pak klerikë që kishin mbetur të gjallë, u detyruan të shkonin në shtëpitë e tyre ose u dënuan apo pushkatuan. Dhe ngjarja që më shumë bëri bujë në këtë periudhë, ndodhi në vitin 1971, ku Dom Shtjefën Kurti pushkatohet vetëm se kishte pagëzuar një fëmijë. Persekutimi kundër klerit vazhdonte dhe kjo gjë në bazë të dokumentave shfaqet edhe në raportet që mbajti Enver Hoxha me Nënë Terezën. Përkundër lujteve të saj për të ardhur në Shqipëri dhe për të takuar nënën e vet të sëmurë, ai nuk e lejoi ansjëherë të shkelte tokën e atdheut të saj dhe kështu ajo nuk e takoi më kurrë të ëmën, sepse ajo vdiq me fotografinë e të bijës ndër duar.
Kushtetuta e datës 28 dhjetor 1976 fuqizoi tashmë zyrtarisht dhe nenin 37, i cili përkufizonte: “ Shteti nuk njeh asnjë fe dhe përkrah e zhvillon propagandë ateiste për të rrënjosur tek njerëzit botëkuptimin materialist shkencor.” Kështu s’kishte më dyshime apo vend për hamendësime, tashmë zyrtarisht ateizmi u fuqizua ligjërisht në kushtetutë.
Enver Hoxha mendoi se ia arriti të zëvendësonte Zotin për popullin e vet, ku festat dhe të kremtet fetare i zëvendësoi me përvjetore partie, ditëlindje udhëheqësish apo me festën e kufirit apo festën e mësuesit etj. Por normalisht llogaritë i kishte bërë gabim, sepse në vitin 1985 ai vdiq, sepse nuk ishte Zot dhe kurrë shqiptarët nuk e pranuan si të tillë. Fizikisht ndoshta ishte i pranishëm, por shpirtërisht kurrë, sepse shpirti i shqiptarit nuk mund të dënohej me vdekje. Ishte pikërisht ai shpirt, i cili bëri që ky popull të vazhdonte rrugën e tij në atë tunel të errët, ku si çdo tunel në fund të tij dikur do shfaqej drita.
Dhe ajo u shfaq në Nëntor të vitit 1990, i cili ishte një “Nëntor i Bardhë” për Shqipërinë. Ajo dritë që ndriçoi mendjen e zemrën e popullit të Shkodrës, që si gjithmonë ishte pararendës i çdo lëvizje kundër regjimit. Kështu një prift katolik, Dom Simon Jubani, i vuajtur burgjeve komuniste, me guximin dhe përshpirtërinë që e karakterizonte, mbajti meshën e parë, 23 vite pas kremtimit të fundit. Vendi do të ishte po ai, ku ishin pushkatuar me qindra bij të qytetit, ku qëndronin si dëshmitarë të vetëm “Dy Çinarë”, të cilët pas shumë viteve errësirë, panë edhe ato dritën e shpresës, dritën e lirisë, dritë që ndriçoi më shumë se asnjëherë zemrat dhe mendjen e gjithë popullit tonë.
Dhe që nga ajo ditë rrugëtimi i besimit në Zot vazhdon i pandërprerë dhe i palëkundur, me tolerancë dhe harmoni, pavarësisht se nganjëherë mund të kalojë në rrugë të papërshtatshme, si pasojë individuale e ndonjë heroi modern të ditëve tona.
Por historia ka treguar se heronjtë janë bërë edhe për t’u mundur, mitet janë bërë edhe për t’u thyer, kurse shpirti… shpirti është krijuar për të qenë i pavdekshëm.